Barcelona s’njeh rivalë në Spanjë, katalanasit arrijnë fitoren e 7 radhazi, Szczesny bëhet portieri i tyre

Barcelona është e pagabueshme në javët e para të sezonit të ri në La Liga. Katalanasit fituan ndeshjen e shtatë radhazi duke udhëhequr me 21 pikë të plota kampionatin.
Viktima e skuadrës se Hansi Flik këtë herë ka qenë Getafe e mundur 1 me 0. Nisja e takimit ishte pak më e mirë për miqtë të cilët provuan në dy raste të rrezikonin portën e Barcelonës, mirëpo pas çerek-orëshit të parë të zotët e shtëpisë dolën nga ngërçi i fillimit duke treguan potencialin e tyre.
Ai që zhbllokoi shifrat në minutën e 19 ishte veterani polak Robert Levandovski që tregoi gjatë gjithë ndeshjen formë të shkëlqyer.
Dominimi ndaj Getafes ishte i dukshëm edhe në vazhdim gjatë pjesës së parë dhe të dytës, por katalanasit nuk ishin kurrë në gjendje që të shënonin golin e sigurisë duke e mbajtur ndeshjen të hapur deri në fund, ndonëse Getafe nuk pati fuqi të barazonte.
Skuadra Blaugrana rikthehet të ketë një avantazh katër pikë nga Reali ndjekës. Suksesi i radhës erdhi bashkë me një tjetër lajm të rëndësishëm në merkato. Pas dëmtimit të rëndë të Ter Shtegen, Barcelona bindi polakun Shçezni që të rikthehej në futbollin aktiv, pasi portieri ishte dorëhequr nga futbolli disa javë më parë kur u largua nga Juventus.