Bardhi: Asnjë mbrojtje për të rinjtë shqiptarë të keqtrajtuar në kufirin me Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pasi një grup prej 40 studentësh shqiptarë u ndaluan në kufirin maqedonas, për t’iu bashkuar protestës të së hënës për gjuhën shqipe në Shkup.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se këta të rinj u përballën me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet maqedonase.
“Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata të rinj meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje për guximin dhe sakrificën”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, dënoi edhe qëndrimin e Tiranës zyrtare lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar atë si skandaloz.
“Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë të poshtëruar dhe të keqtrajtuar në kufi. Asnjë reagim edhe pse, shteti shqiptar u vu në dijeni se policia e Maqedonisë së Veriut i ka lëvizur 40 të rinjtë shqiptarë nga kufiri me Shqipërinë, në Kumanovë, deri pranë kufirit me Serbinë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë procedurë normale”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, “kur bëhet fjalë për propagandë boshe mbi “stabilitetin rajonal”, Tirana zyrtare nuk lë vend pa u mburrur”.
“Por kur policia e Maqedonisë së Veriut merr praktikisht peng të rinjtë shqiptarë, i ndalon për orë të tëra pa asnjë akuzë, i trajton si kriminelë vetëm pse mbështesin protestat për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar, Edi Rama dhe qeveria e tij zhduken”, përfundoi Bardhi, duke theksuar se kjo nuk është diplomaci, por braktisje e qytetarëve shqiptarë.
/e.i/j.p/r.e/