Bardhi: Diella, fasadë virtuale për të fshehur vjedhjet

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi reagoi sot pas miratimit në Kuvend të programit të ri qeverisës dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi tha se “kjo që ndodhi sot në parlament ndodh çdo ditë në Shqipëri: njerëzit drejtohen me arbitraritet, me arrogancë, me padrejtësi”.
Bardhi u ndal tek risia e qeverisë, Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificale, për të cilën tha se “është fantazi propagandistike dhe se korrupsioni dhe krimi i organizuar është realitet”.
Sipas Bardhit, Diella nuk është vizion, por fasada virtuale për të fshehur vjedhjet e përditshme gjigante të kësaj qeverie.
“Diella është propaganda e paketuar në 3D. Diella nuk është ministër kundër korrupsionit. Diella është shërbëtore e korrupsionit, në versionin virtual”, tha Bardhi.
Bardhi kishte edhe një mesazh për partnerët e Shqipërisë.
“Ne e dimë që në Shqipëri nuk ka një qeveri të zgjedhur nga vota reale e shqiptarëve. Evropianët e dinë. Të gjithë e dimë. Por loja vazhdon. Dhe ky është shkatërrimi i vertetë i demokracisë”, tha Bardhi.
Më tej Bardhi nënvizoi se Shqipëria merion “Evropën e vërtetë, jo kompromiset gjysmake të burokratëve, që heshtin kur Parlamenti dhe Kushtetuta në Shqipëri përdhosen në mes të Evropës”.
Kuvendi i Shqipërisë votoi sot me 82 vota pro programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën Librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë. Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si Ministre për Inteligjencën Artificiale. Nga ana tjetër, mazhoranca kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, që votua me 82 votat e mazhorancës, ndërsa opozita abstenoi.
/m.q/a.f/r.e/