E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Do thërrasim Këshillin e Imuniteteve në fillimin e javës për të mos krijuar asnjë vonesë

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, se ende nuk kanë një datë se kur do të zhvillohet mbledhja e radhës.

Bardhi bëri të ditur se anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të hënën ose ditën e martë të javës së ardhshme. Sipas Bardhit, kërkesa e opozitës u bë për faktin se nuk duhet të krijohen vonesa që mund të dëmtojnë procesin hetimor.

“Ne kërkuam që mbledhja të ndërpritej, të pajiseshin deputetët me materialin e plotë dhe ne të rimblidheshim të hënën në mëngjes. Prokurorët e Posaçëm bënë të qartë se çdo vonesë, pra kjo është një çështje e ngutshme, dhe çdo vonesë mund të na rrezikojë provat apo intimidimin e dëshmitarëve. Në mënyrë krejt të paarsyeshme, Kryetari i Kuvendit u shpreh se datën do ta njoftonte në një moment tjetër”, informoi Bardhi.

“Kjo është e papranueshme për opozitën. Pesë anëtarët e opozitës në Këshill do të thërrasin mbledhjen të hënën, maksimumi të martën e fillimjavës që vjen, për të mos krijuar asnjë vonesë dhe për t’i dhënë një kohë të caktuar të pandehurës që të vijë të mbrojë veten. Ne vlerësuam që një kohë prej 72 orësh ishte e mjaftueshme që Këshilli të mblidhej, që e pandehura të njihet me provat si dhe deputetët të njihen me provat”, tha Bardhi.

Gjithashtu, Bardhi bëri të ditur se kanë kërkuar praninë e medias në Këshill dhe që të ishte e hapur dhe transparente për publikun.

“Kjo kërkesë pa votim nga këshilli nuk u mor në konsideratë. Sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor”, tha Bardhi.

Bardhi pohoi gjithashtu se Këshilli mori vendim që materialet e dosjes t’u shpërndahen anëtarëve të Këshillit.

“Secili deputet sipas ligjit do të duhet ta ketë të plotë USB-në e famshme që Kryetari i Kuvendit e kishte kyçur në një kasafortë. Kyçja e USB-së ishte bërë për t’i dhënë albinë të pandehurës Balluku, për të shtyrë mbledhjen, me pretendimin se nuk është njohur me materialin”, u shpreh ai.

“Këshilli ka marrë vendimin se do t’i shpërndahet secilit deputet që është anëtar i Këshillit. Kanë vendosur që të mbrojnë një të pandehur për të prishur provat dhe procesin hetimor”, u shpreh Bardhi.

Sipas Bardhit, prokuroria tha se 3 ditë kohë janë të mjaftueshme, por nëse çmohet më shumë kohë, maksimumi duhet të jetë 5 ditë.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›