E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Eurodeputetët miratuan të gjitha amendamentet e opozitës që PS i refuzoi

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se eurodeputetët në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri kanë miratuar të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita, të cilat sipas tij ishin refuzuar nga Partia Socialiste.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi nënvizon se amendamentet e miratuara kërkonin ndalimin e blerjes së votës, patronazhimit dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore, rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e standardeve europiane për imunitetin parlamentar, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe të drejtësisë, transparencë për PPP-të, koncesionet dhe investimet strategjike si dhe mbrojtjen e pronës, zonave të mbrojtura dhe lirisë së medias.

Bardhi theksoi se eurodeputetët u rreshtuan në mbështetje të këtyre amendamenteve që sipas tij denoncojnë modelin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

“Një lojë me letra bixhozi në një lokal të Strasburgut mund të jetë e vetmja dorë që fitoi delegacioni i PS-së. Sepse në tavolinën politike të Europës, eurodeputetët u bashkuan me opozitën për të miratuar amendamente që denoncojnë pikërisht modelin e qeverisjes së Edi Ramës: blerjen e votës, patronazhimin, korrupsionin, kapjen e shtetit, cenimin e pavarësisë së drejtësisë, PPP-të, koncesionet dhe investimet strategjike”, shkruan Bardhi.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›