E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Ftesa për Bordin e Paqes ishte institucionale, jo personale për Kryeministrin

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot nga foltorja e Kuvendit se ftesa për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, ishte institucionale për Shqipërinë dhe jo personale për Kryeministrin. Bardhi tha se Shqipëria përfaqësohet ose nga presidenti, ose nga Kryeministri.

Bardhi nënvizoi se Kryeministri po tenton të paraqesë veten si të zgjedhur personalisht nga amerikanët, ndërkohë që sipas tij, e vërteta është krejt ndryshe.

“Pse e lidh pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë bord me emrin tënd, si i vetmi kryeministër që ka pritur në zyrë kartele të drogës? E vërteta është që në bordin e Paqes është ftuar Shqipëria dhe sigurisht që përfaqësohet ose nga Presidenti i Republikës, ose nga kryeministri. Nëse ftesa do të ishte personale për ty, çfarë nevoje ke që kërkojmë ta shkruajmë emrin tënd në ligj?” u shpreh Bardhi.

Bardhi, ngriti pyetjen pse Shqipëria nuk ishte e pranishme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Pse sot nuk është në Davos dhe pse Shqipëria nuk pranohet në këtë aktivitet nga më të rëndësishmit botëror? Për fat të keq, nga rajoni i Ballkanit, i vetmi lider i pranishëm ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,” tha Bardhi.

Sipas tij, përgjigja e Ramës për këtë mungesë ishte “aspak serioze”, pasi kryeministri pretendoi se kishte zgjedhur një takim privat për investime me një kompani amerikane mbi përfaqësimin shtetëror.

“Takimin privat për investime e ke pasur dje. Disponon një avion privat dhe mund të ishe nisur për të arritur takimin në Davos. Por edhe këtu gënjeu, sepse takimin për investimet e mirëpritura amerikane e ke pasur dje, z. Rama. Çdo shqiptar e di që mund të ishe nisur për të qenë në Davos,” përfundoi Bardhi.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›