Bardhi: Kryeministri të japë llogari për qeverisjen, emërimet dhe fondet publike

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Kryeministri duhet të japë llogari dhe të bëjë transparencë lidhur me mënyrën se si qeveriset vendi, emërimet në institucionet shtetërore dhe përdorimin e fondeve publike.
Në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se Kryeministri i shmanget përgjegjësisë politike duke u shprehur se nuk ka dijeni për veprimet e ministrave dhe drejtuesve të institucioneve që varen prej tij.
Bardhi përmendi gjithashtu disa çështje të hetuara ose të denoncuara publikisht, përfshirë dosjen e AKSHI-t, koncesioneve në shëndetësi, inceneratorëve, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit.
Bardhi u ndal edhe tek reforma në drejtësi duke thekshuar se u miratua me 140 vota në Kuvend dhe se PD-ja kishte rol në miratimin e saj.
“Reforma në Drejtësi ishte produkt i 140 votave në Kuvendin e Shqipërisë. Pa votën e PD, reforma në drejtësi do ishte thjeshtë e pamundur.Vizionin e Edi Ramës për drejtësinë e pavarur shqiptarët e panë me draftin fillestar që ai propozoi për miratim, ku gjyqtarët dhe prokurorët, i konsideronte si vartës të pushtetit ekzekutiv. Ishte ndërhyrja jonë dhe opinioni i vyer i Komisionit të Venecias që rrëzuan përpjekjen e Edi Ramës për të shtënë në xhep, me Kushtetutë, sisitemin e drejtësisë. Ligji për SPAK dhe GJKKO ishte më tej i vetmi ligj i miratuar me konsensus, falë ndërhyrjes së SHBA-së për të reflektuar në të, të gjitha shqetësimet e PD”, tha ai.
Bardhi tha gjithashtu se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga drejtësia, ndërsa qeveria duhet të japë llogari për vendimmarrjen, emërimet dhe mekanizmat e kontrollit institucional.
“Kur një zyrtar përballet me drejtësinë, drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Qeveria duhet të japë llogari për vendimmarrjen politike, për emërimet dhe për mekanizmat e kontrollit që kanë funksionuar ose nuk kanë funksionuar. Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë. Ndërsa, përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike. Dhe transparenca ndaj qytetarëve është detyrim i çdo qeverie.
“Është koha për përgjegjësi politike, përgjegjësi institucionale dhe, mbi të gjitha, përgjigje për atë që ndodh nën qeverisjen tënde. Jo me deklarata politike. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si qeveriset vendi i tyre, si përdoren paratë e tyre dhe kush mban përgjegjësi për vendimet që merren në emër të tyre. Kjo është llogaridhënia. Dhe kjo është transparenca që shqiptarët meritojnë”, tha ai.
/m.q/a.f/