E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarime prej saj lidhur me mënyrën se si ky institucion po trajton çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Bardhi theksoi se publikimi i arsyetimeve për vendimet e Gjykatës do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së saj dhe do të zvogëlonte perceptimin e ndikimit politik.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë”, deklaroi ai.

Bardhi e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për “dy standarde” në qëndrimet e saj sa i takon interpretimit për masat ndaj një deputeti dhe ndaj një ministri.

“Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, përmes një deklarate të shpërndarë në medie, Gjykata Kushtetuese njoftoi se çështja do të shqyrtohet në seancë plenare më 22 janar 2026, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Presidentit, Kuvendit, Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, ndërsa ftoi të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›