E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Me rrëzimin e dy komisioneve hetimore po pengohet opozita të kryejë kontroll parlamentar

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca rrëzoi kërkesat e opozitës, për ngritjen e komisioneve hetimore për rrugët e shembura si dhe për institucionin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë një prononcimi për mediet, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi e cilësoi vendimin e socialistëve si “antikushtetues”, teksa shtoi se mazhoranca po bëhet pengesë për opozitën që të kryejë kontroll parlamentar.

“Me një vendim antikushtetuese, mazhoranca vendosi të rrëzojë dy kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara nga jo më pak se 1/5 e deputetëve dhe gjithashtu zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, sa i takon klimës së investimeve në Shqipëri.

“Bëhet kërkesa e pestë për ngritje të komisionit hetimor, pas rrëzimit të tre të parave, që mazhoranca me votë politike, pengon opozitën që të kryejë kontroll parlamentar. Bëhet mocion i shtatë që refuzohet në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, një e drejtë që rregullorja ia njeh deputetëve të opozitë, për të kërkuar debat mbi një çështje që ka interes për publikun”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, mazhoranca me veprime konkrete po bën gjithçka për të vonuar procesin e integrimit.

“Në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë të Komisionit Evropian, theksohet se parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar e ekzekutivit. Në 6 muaj funksionimi të kësaj legjislature, asnjë mekanizëm kontrolli ndaj ekzekutivit nuk është pranuar nga mazhoranca”, tha ai.

Bardhi tha se deputetët e opozitës kanë bërë rolin e tyre, teksa shtoi se “me votë politike në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren refuzohet në mënyrë permanente, me një strategji të qartë, për të zeruar rolin e deputetëve të opozitës në parlament”.

“Integrimi pengohet nëse institucione si Kuvendi bëhen jo funksionale, shndërrohen në fasadë të qeverisë dhe nuk funksionojnë sipas standardeve demokratike. Pengohet integrimi, kur rrëzojmë drejtësinë. Pengohet integrimi nëse Kuvendi refuzon zbatimin e  vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›