E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Nuk do të lejojmë Kuvend pa zë opozitar

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas përjashtimit të tij nga seanca plenare e sotme nga ana e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të seancës, Bardhi deklaroi se opozita kundërshtoi vendimin për të kaluar pa debat raportimet e institucioneve, duke e cilësuar atë si një standard të paprecedent në 34 vite parlamentarizëm në vend.

“Duan të kalojnë pa debat, pyetje e llogaridhënie raportimet e institucioneve të drejtësisë dhe dëshirojnë të vendosnin standardin e ri, të pandodhur në 34 vite të Kuvendit të Shqipërisë, që institucionet vijnë dhe deputetët nuk kanë të drejtë të shpjegojnë në transparencë të qytetarëve pyetjet që kanë ndaj institucioneve. Kjo ishte arsyeja pse ne reaguam dhe do të reagojmë gjithmonë sa herë të shkelen Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, sa herë të cenohen të drejtat e deputetëve”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, vendimi për përjashtimin e opozitës ishte i paracaktuar, me qëllim shmangien e debatit për çështje të rëndësishme si ligji për mbetjet apo hetimet për inceneratorët.

“Skenari ishte ndërtuar që të ndërpritej debati, se nuk duan të flasin për ligjin e mbetjeve, as për 430 milionë euro që i kanë vjedhur me inceneratorët dhe duan të shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë që do të mund të nënshtrojnë Kuvendin, deputetët e opozitës dhe të shkallojmë Kushtetutë,”, deklaroi Bardhi.

Gjatë deklaratës, Bardhi kritikoi mazhorancën edhe për qëndrimin ndaj rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, duke theksuar se “ata që bënë patriotët gjatë gjithë ditës nuk votuan për të thënë ‘Po’ ndaj kësaj rezolute”.

“Votat e kuqe janë vota të deputetëve të PS-së. Këta nuk kanë guximin as të vendosin gishtin që: Po në Kosovë, Serbia ka kryer genocide”, tha ai.

Bardhi deklaroi se mazhoranca rrëzoi një mocion ku mund të debatohej se si mund të çlirohen 112 milionë euro të fermerëve shqiptarë që janë bllokuar për shkak të korrupsionit të qeverisë.

Duke iu referuar diskutimeve për përfaqësimin në komisionin e posaçëm të Reformës Territoriale, Bardhi shtoi se opozita pret respektimin e traditës parlamentare që garanton barazi mes mazhorancës dhe opozitës në këtë proces.

“Nëse ka reflektim nga ana e mazhorancës, ky është një lajm i mirë për ta, jo për ne, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe kjo është një praktikë e konsoliduar në 34 vite parlamentarizëm”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›