E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: PD nuk merr pjesë nesër në seancën plenare, mbledhje e thirrur për agjendë personale

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi sot se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë.

Përmes një njoftimi kreu i grupit parlamentar në PD, nënvizoi se seanca është e paligjshme dhe se është thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime.

Sipas, Bardhit “kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për agjendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit”.

Bardhi theksoi se një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë.

“Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Bardhi.

Për këtë arsye, shtoi ai “opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve”.

Bardhi nënvizoi se prioriteti i PD-së këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit.

“Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve”, theksoi ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›