E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Përjashtimi i deputetëve, akt armiqësor ndaj opozitës

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me përjashtimin e deputetëve Flamur Noka dhe Elda Hoti nga punimet e Kuvendit, duke e cilësuar vendimin si të pabazuar në etikë dhe rregullore.

Në një reagim, Bardhi u shpreh se masa disiplinore ndaj deputetëve të opozitës përbën “një akt armiqësor ndaj opozitës” dhe jo një vendim institucional.

Sipas tij, në seancën plenare të 2 prillit, mazhoranca krijoi qëllimisht një klimë tensioni, duke dëmtuar më tej besueshmërinë dhe reputacionin e Kuvendit.

Bardhi theksoi se, sipas tij, qasja ndaj opozitës nuk është rastësore, por pjesë e një strategjie politike për të kufizuar rolin e saj.

Ai deklaroi se në gjashtë muajt e fundit, Partia Socialiste ka përjashtuar 15 deputetë të opozitës nga Kuvendi, për një total prej 295 ditësh.

“Është një praktikë që po ngushton çdo ditë hapësirën e opozitës në Kuvend”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, mazhoranca nuk po përpiqet më as të ruajë dukjen e respektimit të rregullave, duke reflektuar, siç tha ai, qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës.

Bardhi renditi një sërë shqetësimesh, përfshirë përjashtimet e deputetëve, refuzimin e kërkesave për komisione hetimore, mospranimin e interpelancave nga kryeministri, si dhe zvarritjen e proceseve të llogaridhënies nga ministrat dhe institucionet.

Ai theksoi se këto veprime synojnë të zhbëjnë funksionin kryesor të opozitës, atë të kontrollit të pushtetit.

Bardhi u shpreh se, sipas tij, në kushtet kur pushteti vepron në mënyrë të padrejtë, opozita duhet të vazhdojë qëndrimin e saj dhe të përmbushë rolin përballë qeverisë.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›