E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Po shkelet çdo rregull që garanton standardet e bashkëjetesës në Kuvend

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se po shkelet çdo rregull që garanton minimumin e standardeve të bashkëjetesës në sallën e Kuvendit.

Në një prononcim për mediet jashtë selisë së Kuvendit, Bardhi reagoi duke theksuar se po zerohet roli i opozitës në Kuvend.

“Sot kam listuar një sërë shkeljesh që lidhen me të drejtat e opozitës nga Kryetari i Kuvendit. Ne duhet të kishim miratuar një rezolutë për ecurinë e procesit të integrimit. Qeveria ka detyrimin për të raportuar brenda datës 31 janar dhe nuk e ka bërë dhe kryetari i Kuvendit nuk guxon t’i thotë qeverisë se ka shkelur ligjin dhe nuk ka raportuar në Kuvend”, tha Bardhi.

Po ashtu, Bardhi theksoi se opozita ka kërkuar në vijimësi interpelanca me kryeministrin dhe ai nuk është paraqitur.

“Ne i kërkojmë informacion institucioneve për çështje që kanë interes për qytetarët dhe nuk marrim përgjigje nga qeveria. Kryetari i Kuvendit nuk guxon t’i thotë qeverisë se po shkel Kushtetutën dhe ligjet. Në këto kushte roli i opozitës po zerohet në Kuvend dhe ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë zerimin e rolit të opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se vullneti i grupit parlamentar të PD-së është të jetë i angazhuar në përmbushje të përgjegjësisë që i kanë ngarkuar qytetarët në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai shtoi gjithashtu se gjatë seancës janë miratuar disa projektligje pa debat parlamentar.

“Miratuan 7-8 projektligje pa asnjë diskutim, pa kuptuar çfarë po voton Kuvendi. Në mënyrën si po e katandis parlamentin Niko Peleshi, nuk do jetë e largët dita kur Kuvendi të mos funksionojë më,” përfundoi Bardhi.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›