Bardhi: Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Deputetë të Partisë Demokratike, që po zhvillojnë një vizitë në Kongresin Amerikan, kanë zhvilluar një sërë takimesh me kongresmenë amerikanë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri të ditur se gjatë takimit me kongresmenin Clay Higgins, anëtar i lartë i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomitetit për Zbatimin e Ligjit Federal, u diskutua situata e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Bardhi nënvizoi se Shqipëria ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të luftuar këtë fenomen, duke krijuar hapësira për bashkëpunim mes institucioneve dhe krimit të organizuar.
“Sistemi i drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese duhet të sigurojnë pavarësinë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët me qëllim luftën me efikasitet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Bardhi.