E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Të tërhiqet projektligji për ndryshimet në Kodin Penal, duhen më tepër diskutime

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, ku po diskutohen ndryshime në Kodin Penal, kërkoi që ndryshimet e propozuara të tërhiqen nga diskutimi dhe të merret më shumë kohë për diskutim.

Bardhi theksoi se Kodi Penal ekziston për të parandaluar veprime që dëmtojnë interesin publik, jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe për të mbrojtur pronën dhe të mirat e përbashkëta.

Ai kujtoi se Kodi Penal është miratuar në vitin 1995 dhe ka pësuar ndryshime të shumta për t’u harmonizuar me standardet europiane.

Ai shtoi se Parlamenti ka marrë angazhimin për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe për përshtatjen e dispozitave me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

“Pyetja është pse nuk po plotësohen këto rekomandime në raportin e fundit të OSBE/ODIHR”, theksoi ai.

Sipas Bardhit, shpifja duhet trajtuar si çështje civile dhe të përputhet me standardet ndërkombëtare, pasi aktualisht dispozitat nuk janë harmonizuar plotësisht.

Bardhi vuri në dukje se ndryshimet e sjella parashikojnë ndëshkime për qytetarët për shkelje të vogla, si parkimi i makinës dysh, ndërsa rastet më të mëdha të korrupsionit dhe grabitjes së pronës publike trajtohen më lehtë.

“Ndërsa qytetarët përballen me gjoba dhe burg për shkelje të vogla, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i pronës publike vazhdojnë të trajtohen si normale”, tha ai.

Ai theksoi se ndryshimet në Kodin Penal në vitet e mëparshme merrnin gjashtë muaj kohë dhe përfshinin deputetë me përvojë, dhe diskutime jo vetëm me anëtarë të grupit parlamentar të PD-së por edhe Ministrinë e Drejtësisë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›