Bardhi thirrje qytetarëve: Më 12 mars të dalim para Parlamentit. Shqipëria nuk është peng i askujt

Kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në protestë që opozita do të zhvillojë më 12 mars para Parlamentit.
Gjatë një konference për shtyp, Bardhi tha se vendimi i PS për të mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut, tregon dy standardet e kryeministrit Edi Rama për drejtësinë.
“Raste ekstreme ku qytetarët arrestoheshin se nuk paguanin energjinë pati me qindra gjatë asaj periudhe, por përgjigja e Ramës ishte vetëm burg, dhe nuk shqetësohej për numrin e lartë të paraburgimeve. Sot kur ligji ka trokitur në portën e tij, ligji nuk mund të jetë aq i barabartë sa për të gjithë të tjetër”, tha Bardhi.
Bardhi tha se ligji nuk po zbatohet njësoj për të gjithë dhe se kjo situatë po dërgon një mesazh të gabuar te Bashkimi Evropian.
Bardhi u bëri thirrje qytetarëve që më 12 mars të mblidhen para Parlamentit, për të treguar se Shqipëria nuk është peng i askujt.
“Çfarë mesazhi i kemi dërguar BE që kërkojnë sundim të ligjit? Jo pasaportë evropiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim dot me këtë standard Rama nuk merr vendime në interes të vendit dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje të qeverisë pa mbrojtur korrupsionin. Qytetarët të dalin më 12 mars para parlamentit që t’i tregojmë Ramës dhe botës që Shqipëria nuk është peng i askujt”, tha Bardhi.
/rtsh.al/