Basha me zyrtarin gjerman: Dënimi i Salianjit rast i paprecedent

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha dhe deputetja Oriola Pampuri gjatë vizitës në Berlin zhvilluan një takim me Stefan Kaufmann, raportuesin për Shqipërinë në Grupin e Punës për Çështjet Europiane të Bundestagut gjerman.
Gjatë vizitës, Basha theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe varfërinë si sfidat kryesore që përballet Shqipëria.
“Shpreha shqetësimin tim për përpjekjet e kryeministrit Edi Rama, në bashkëpunim me një pjesë të opozitës, për të shantazhuar dhe vendosur nën kontroll institucionet e drejtësisë, si SPAK. Një shembull i qartë i këtyre përpjekjeve ishte amnistia, e cila çoi në lirimin e zyrtarëve të korruptuar”, tha Basha.
Basha po ashtu thotë se foli për situatën politike në vend si dhe dënimin e deputetin Ervin Salianji, që sipas ish-kreut të PD-së, tregoi qartë se sistemi i drejtësisë është nën presion.
“Diskutuam gjithashtu për situatën politike në vend, ku së fundmi po shohim një teatër të përsëritur që synon të legjitimojë një pazar të ri politik, si ai i disa muajve më parë, që kulmoi me amnistinë, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për legjitimitetin e PD-së nga e njëjta trupë gjyqësore, që në një rast të paprecedent, dënoi deputetin Ervin Salianji, duke treguar qartë se sistemi ynë i drejtësisë është nën presion dhe segmente të tij janë ende nën kontrollin politik të atyre që kanë drejtuar për 34 vjet vendin”, shkruan Basha.
/a.f/r.e/