E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha viziton palestrën “Tirona Karate”: Programi i Koalicionit Euroatlantik parashikon ndërtimin e terreneve sportive

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka vizituar ditën e sotme palestrën “Tirona Karate”, ku ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e të rinjve që stërviten aty, si dhe ka theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale ndaj sportit dhe arsimit.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Basha shprehet se trajneri Murat Basha është një nga promotorët e palodhur të brezit të ri, i cili, sipas tij, kontribuon në ndërtimin e karakterit, disiplinës dhe shpirtit të garës te të rinjtë shqiptarë.

“Rinia shqiptare ka të drejtë të ndërtojë jetën dhe të realizojë ëndrrat e saj këtu, jo të detyrohet të largohet”, shprehet Basha, duke renditur disa nga angazhimet kyçe të programit të Koalicionit Euroatlantik për të mbështetur këtë vizion.

Sipas tij, ky program parashikon: Ndërtimin e terreneve të reja sportive; Rritje të mbështetjes financiare për sportin; Punësimin e 1500 trajnerëve të rinj në shkolla; Rritje me 60% të pagave të mësuesve; Shkolla me orar të plotë, nga ora 08:00 deri në 16:00; Sigurimin e drekës për nxënësit në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme; Kurse të dedikuara në teknologji, gjuhë të huaja, arte dhe sporte; Angazhimin e 7500 specialistëve për këto aktivitete.

“Një Shqipëri që investon te rinia është një Shqipëri që fiton të ardhmen”, përfundon Basha, duke u bërë thirrje të gjithëve: “Beso te Shqipëria!”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›