Bashkia Vlorë, drejt përfundimit dy godina për strehimin e 75 familjeve në nevojë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Bashkia e Vlorës është drejt përfundimit të dy objekteve banimi për shtresat në nevojë në qytetin bregdetar, të cilat do të strehojnë 75 familje.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “ndërtesat janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të dorëzohen çelësat për familjet përfituese”.
Dredha, në një postim sot në rrjetet sociale, tha se u takua me drejtorin e përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Besmir Hysa, në kuadër të strehimit social në qytetin bregdetar. Sipas Dredhës, në fokus të diskutimeve ishte vazhdimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes bashkisë dhe EKB-së, por edhe finalizimi i objekteve 3 dhe 4 në Vlorë, që garantojnë strehimin e 75 familjeve.
Ky investim përfaqëson një shembull konkret të angazhimit për të ofruar zgjidhje të prekshme në strehimin social, përmes një partneriteti të fortë me Entin Kombëtar të Banesave.
Gjatë takimit u evidentuan sfidat dhe prioritetet lokale në fushën e strehimit, ndërsa EKB rikonfirmoi gatishmërinë për të mbështetur bashkitë në zbatimin e projekteve që synojnë përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.
Ky takim vjen në kuadër të angazhimit të EKB për të forcuar bashkëpunimin me njësitë vendore dhe për të zhvilluar zbatimin e objektivave te Strehimit Social.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Entit Kombëta... 1 nga 5/e.i//r.e/