E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Vlorës nënshkruan paktin ndërbashkiak për punësim

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Bashkia e Vlorës u bë bashkia e parë në vend që nënshkroi paktin ndërbashkiak për punësimin, në kuadër të Forumit të tretë të Komunitetit dhe Biznesit për Migracionin dhe Diasporën, zhvilluar përgjatë dy ditëve në qytetin bregdetar.

Pakti Ndërbashkiak për Punësimin krijon një mekanizëm të strukturuar bashkëpunimi ndërmjet bashkive, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), institucioneve të arsimit dhe formimit profesional, si dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Nëpërmjet këtij mekanizmi, bashkitë angazhohen të bashkëpunojnë për të përputhur më mirë punëkërkuesit me mundësitë e punësimit, për të lehtësuar lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore, për të forcuar koordinimin mbi informacionin e tregut të punës dhe për të përmirësuar aksesin në shërbimet e punësimit – veçanërisht për gratë, të rinjtë, migrantët e rikthyer dhe grupet e tjera në nevojë.

Vlora është bashkia e parë pritëse që nënshkruan zyrtarisht këtë Pakt, duke nisur një proces që synon të zgjerohet gradualisht në të gjithë vendin. Në kuadër të projektit, Pakti do të nënshkruhet fillimisht nga shtatë bashkitë pilote – Vlora, Kamza, Tirana, Saranda, Kukësi, Dibra dhe Shkodra, me synimin afatgjatë për ta shtrirë këtë model bashkëpunimi në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtoresha e IOM në Shqipëri, Alma Jani, theksoi rëndësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet bashkive që ofrojnë mundësi punësimi dhe atyre që përballen me nivele më të larta papunësie.

“Qarku i Vlorës po përjeton një rritje të ndjeshme të kërkesës për fuqi punëtore, veçanërisht në sektorët e hotelerisë, turizmit dhe bujqësisë, ndërsa shumë bashki të tjera në Shqipëri kanë qytetarë që janë në kërkim të mundësive të punësimit. Afrimi i këtyre dy realiteteve është pikërisht thelbi i këtij projekti. Pakti Ndërbashkiak për Punësimin është shumë më tepër sesa një marrëveshje formale; ai është një mekanizëm praktik që forcon koordinimin ndërmjet bashkive, institucioneve kombëtare dhe sektorit privat për të krijuar më shumë mundësi punësimi dhe për të lehtësuar lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore, theksoi ajo.

Nënkryetarja e Bashkisë Vlorë, Irena Toshkallari, e cilësoi Paktin si formalizimin e një bashkëpunimi që tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete.

“Ky pakt formalizon bashkëpunimin ndërmjet bashkive dhe institucioneve përgjegjëse për të menaxhuar më mirë lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore. Nëse një biznes në Vlorë ka nevojë për punonjës, falë këtij bashkëpunimi ne mund të lidhemi me bashki të tjera nëpërmjet një mekanizmi të standardizuar referimi. Kjo krijon mundësi të reja punësimi për qytetarët, ndërkohë që ndihmon bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për fuqi punëtore”, vuri në dukje Toshkallari.

Pakti parashikon gjithashtu forcimin e strukturave të dedikuara në bashki për migracionin dhe disaporën, përmirësimin e koordinimit me AKPA-n dhe aktorë të tjerë vendorë, zhvillimin e analizave të rregullta të tregut të punës, organizimin e panaireve të përbashkëta të punës dhe zbatimin e mekanizmave të standardizuar të referimit për të mbështetur qytetarët gjatë gjithë procesit të punësimit.

Nënshkrimi i Paktit ndërtohet mbi dy vite bashkëpunimi ndërmjet IOM, bashkive dhe institucioneve kombëtare në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Institucionale Vendore për Migracionin në Shqipëri”. Përmes angazhimit të komuniteteve, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe ndërtimit të partneriteteve vendore, projekti synon të forcojë qeverisjen e migracionit duke promovuar njëkohësisht mundësi punësimi dhe zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal.

Projekti zbatohet nga IOM në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkaq, gjatë forumit, diskutimet u përqendruan në koordinimin e punës për të nxitur punësimin nëpërmjet migracionit të brendshëm, për rritje të qëndrueshme të ekonomive lokale dhe për të ndihmuar edhe bizneset të gjejnë forcë punëtore.

Në Vlorë, sezoni po arrin pikun dhe përfaqësues të bizneseve të pranishëm në forum konfirmuan kërkesën e lartë për forcë punëtore, trendi i së cilës tashmë po orientohet drejt punonjësve të huaj.

Sipas tyre, shqiptarët janë në numra më të lartë të punësuar por numri i të huajve po rritet vit pas viti. Ndërkohë, u vu në dukje se koordinimi përmes bashkive i punësimit për individët që kërkojnë punë rezulton mjaft i rëndësishëm në proces.

Konsulentët lokalë të IOM në bashki shërbejnë si katalizatorë të këtij procesi duke ndërmjetësuar rastet konkrete me zyrat e punës, bizneset dhe aktorë të tjerë lokalë të formimit profesional.

Rezultatet e dy forumeve të parë kanë shërbyer si bazë e fortë për vazhdimin e dialogut dhe veprimeve të përbashkëta, duke nxitur angazhimin komunitar dhe institucional për një qeverisje më efektive të migracionit.

Forumi doli me objektivin për takime periodike në fillim dhe fund të sezonit turistik ku bizneset dhe institucionet lokale të diskutojnë nevojat e tregut të punës dhe ndajnë praktikat e mira për rezultate konkrete.

1 nga 4

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›