Beci: 4 grupe pune, 7 fadroma kanë larguar 500 m³ beton nga Thethi

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se qendra e Thethit po rikthehet si zemra e vërtetë e Alpeve Shqiptare.
Pas aksionit të ndërmarrë për shembjen e ndërtimeve pa leje, Beci tha se 4 grupe pune, 20 punonjës, 60 rrugë me kamionë dhe 7 fadroma të Bashkisë Shkodër kanë larguar rreth 500 m³ beton nga qendra historike e Thethit.
“Një ndërhyrje e madhe për të sistemuar, pastruar dhe rikthyer këtë perlë në shkëlqimin e saj të dikurshëm”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.
IKMT ndau më herët në rrjete sociale, momente nga aksioni i shembjes së disa ndërtesave me strukturë betonarme dhe tulla, të ndërtuara në kundërshtim me ligjin në zonën e mbrojtur.
Aksioni me qëllim mbrojtjen e territorit dhe rikthimin e Thethit në gjendjen e tij natyrore do të vazhdojë, duke goditur çdo ndërtim pa leje.
/e.i/j.p/