Beci: Plazhi i Velipojës, përmirësim i shërbimeve të pastrimit dhe menaxhim i hapësirave publike

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka ndjekur nga afër sot në plazhin e Velipojës, menaxhimin e hapësirave në zonë.
Beci tha se ka subjekte private që vijojnë të tentojnë të abuzojnë me hapësirat publike të dedikuara për pushuesit, por ashtu si edhe në nisjen e sezonit, po përballen me masa administrative pa asnjë tolerim nga Policia Bashkiake.
“Vetëm sot u vendosën 3 masa ndëshkuese”, tha Beci.
“Pata mundësinë të takoja pushues të ndryshëm në plazh dhe të njihesha me disa prej shqetësimeve të tyre. I sigurova se Bashkia Shkodër e ka në vëmendje të veçantë plazhin e Velipojës, me fokus në përmirësimin e shërbimeve të pastrimit dhe menaxhimin e hapësirave publike”, vijoi ai.
Kryebashkiaku i Shkodrës shtoi se po bëhet gati edhe plazhi i menaxhuar nga Bashkia, i cili do të ofrojë kushte të përshtatshme për çdo pushues që frekuenton Velipojën, me një tarifë prej vetëm 400 lekësh për një çadër dhe dy shezlongë.
“I është kërkuar firmës së gjelbërimit që urgjentisht të marrë masa për vënien në punë të shatërvanit në qendër të shëtitores, zëvendësimin e pompave të ujit dhe krijimin e një mjedisi sa më komod për të gjithë pushuesit që zgjedhin Velipojën”, tha Beci.
Lirimi i hapësirave publike nga zaptimet do të jetë fokusi i punës së pushtetit vendor dhe drejtuesve të bashkive në të gjithë vendin këtë muaj.
Nga takimet e kryebashkiakut të Shkodrës me pushues në plazhin e Velipojës 1 nga 7/e.i//r.e/