E Hënë, 2 Nëntor 2026

Beci: Turistët e huaj të befasuar nga tradita, historia dhe monumentet e kulturës në Shkodër


TIRANË, 5 gusht/ATSH/  Shkodra, me bukuritë e shumta natyrore dhe historike, është kthyer në destinacion për turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa  turistëve të huaj që kanë vizituar Shkodrën ditët e fundit.

Ura e Mesit mbetet një destinacion i veçantë për të gjithë vizitorët, duke tërhequr turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.

“Turistët e huaj shijojnë nga afër traditën dhe historinë e dasmave shqiptare pranë Urës së Mesit. Një monument kulture që çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, u shpreh Beci.

Turistët e huaj shprehen të befasuar jo vetëm nga bukuritë natyrore që ofron Shkodra, por edhe nga ritet e traditat vendase.

“Vij nga Bretagne Francë. Këtu është shumë këndshëm. Një vend fantastik me shumë zona për të vizituar. Më pëlqen kjo urë, mali. Pamë disa fshatra tipike dhe po presim të shohim edhe dhëndrrin që do të martohet shumë bukur”, u shpreh njëri prej tyre.

“Ne jemi nga Polonia. Jemi 6 persona dhe është hera e parë që vijmë në Shqipëri, është një urë e mrekullueshme”, u shpreh një tjetër turiste e huaj.

E ndërtuar në vitin 1768, Ura e Mesit është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që pret çdo ditë qindra vizitorë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

/m.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›