E Premte, 6 Nëntor 2026

Begaj pret ambasadoren e BE-së, merr progres-raportin për Shqipërinë: Të përkushtuar që negociatat të përfundojnë në 2027, anëtarësimi në 2030

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të enjte ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për vendin tonë.

Gjatë takimit, kreu i Shtetit e cilësoi raportin e këtij viti si dëshmi të përparimit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe një hap tjetër drejt anëtarësimit në BE. Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe politikat pro zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Në këtë kuadër, Begaj theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimi i lirisë së medias, mbeten prioritete të vendit.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik janë kushte thelbësore për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›