E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj pret gazetarët për festat e fundvitit, vlerëson përgjegjësinë e medias ndaj interesit publik

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi pasditen e sotme pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit me gazetarë dhe përfaqësues të medieve.

Kreu i Shtetit u uroi profesionistëve të medias një vit të ri plot suksese, duke theksuar se ky takim shkon përtej karakterit festiv dhe përfaqëson një shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e gazetarisë si një profesion me sfida të mëdha dhe me përgjegjësi të lartë publike.

“Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është më i bukuri në botë. Në fakt jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez, gazetaria është profesioni më i bukur në botë. Është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por me një përgjegjësi edhe më të madhe. Mjekët e kanë përgjegjësinë ndaj individit, ndërsa ju keni përgjegjësinë ndaj interesit publik. Ju keni qenë të pranishëm kudo, duke u përkushtuar dhe angazhuar gjithmonë”, u shpreh Begaj.

Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të gazetarëve në çdo situatë, Presidenti u shpreh se përkushtimi dhe prania e tyre janë thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për forcimin e besimit të publikut.

Begaj falënderoi përfaqësuesit e medieve për kontributin e dhënë gjatë gjithë vitit, duke nënvizuar se përgjegjësia për informimin e saktë dhe të vërtetë është ajo që e bën gazetarinë një profesion për të qenë krenar.

Presidenti Begaj pritje me gazetaret per festat e fundvitit 1 nga 9

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›