E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begaj pret komandantin e KFOR: Mision i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Kreu i Shtetit i përcolli komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş vlerësimin për marrjen e drejtimit të këtij misioni nga ana e Turqisë për herë të dytë, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin e Turqisë me trupa në misionin KFOR Kosovë.

Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi se KFOR-i është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Në këtë aspekt, Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e tij për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke e cilësuar si faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

Gjithashtu, Presidenti Begaj inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, veçanërisht me Forcën e Sigurisë së Kosovës për zhvillimin, modernizimin dhe transformimin e saj në përputhje me standardet e NATO-s.

Gjatë takimit u vlerësua angazhimi i KFOR-it për garantimin e një situate të qetë sigurie dhe lirinë e lëvizjes, sidomos në veri të Kosovës.

Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj misionit të KFOR.

1 nga 4

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›