E Martë, 3 Nëntor 2026

Begaj pret kryeparlamentarin saudit: Të rrisim lobimin për njohjen e Kosovës

Presidenti Bajram Begaj priti sot (25 qershor) në një takim Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Mohammed Ibrahim Al-Sheikh.

Biseda u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite.

Në takim është vlerësuar fakti se intensifikimi i kontakteve të nivelit të lartë përgjatë viteve të fundit ka dhënë rezultat në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, teksa Presidenti Begaj shprehu bindjen për avancimin e kësaj agjende dypalëshe.

Presidenti i Republikës i përcolli Kryeparlamentarit saudit përgëzime për mbështetjen ndaj Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa theksoi nevojën e lobimit të Arabisë Saudite me ato shtete të Organizatës së Bashkëpunimit Isamik (OIC) dhe të Ligës Arabe që ende nuk e kanë njohur atë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›