Begaj takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së: Shqipëria rol aktiv në ruajtjen e paqes dhe sigurisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot së bashku me delegacionin që e shoqëron një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm gjatë këtyre kohëve sfiduese për Organizatën dhe për multilateralizmin, duke theksuar se përballimi i sfidave kërkon më shumë bashkëpunim, solidaritet dhe veprim të përbashkët.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj nënvizoi rolin aktiv të Shqipërisë në forcimin e paqes dhe sigurisë, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar rolin e saj si faktor kryesor stabiliteti në rajon.
“Shqipëria do jetë gjithmonë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit”, theksoi Presidenti Begaj.
Begaj: Kënaqësi të ritakohem me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, në kuadër të punimeve të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Biseda miqësore u përqendrua në rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. I shpreha mirënjohjen Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për lidershipin e tij gjatë këtyre kohëve sfiduese për Organizatën dhe multilateralizmin.
Në takim mori pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiripali dhe ambasadorja e Shqiperise ne OKB Suela Janina.