Begaj vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj nisi sot një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ftesë të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi agjendën e vizitës, ku parashikohen takime me personalitetet më të larta të Republikës së Maqdonisë së Veriut, presidenten Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e parlamentit Afrim Gashi, liderë politikë shqiptarë, ndërsa do të zhvillojë vizita edhe në disa komuna të drejtuara nga kryetarë shqiptarë.
Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një seancë të posaçme.
Synimi i kësaj vizite është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian të dy shteteve anëtare në NATO dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria e konsideron Republikën e Maqedonisë së Veriut si partner dhe faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik.
/a.f/r.e/