E Premte, 6 Nëntor 2026

Belgjika miraton ligjin e debatueshëm, policia do të mund të kontrollojë shtëpitë e emigrantëve pa dokumente për t’i deportuar

Parlamenti i Belgjikës ka miratuar një ligj të ri të debatueshëm që u jep policisë mundësinë të kontrollojë banesat e emigrantëve pa dokumente, të cilët kanë shpërfillur urdhrat e autoriteteve për t’u larguar nga vendi. Nisma është pjesë e politikës së qeverisë së koalicionit të djathtë, të drejtuar nga kryeministri Bart De Wever, për të kufizuar imigracionin dhe për të shtuar numrin e dëbimeve.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët, të cilët paralajmërojnë se ndërhyrja e policisë në banesat private për çështje emigracioni mund të cenojë të drejtat kushtetuese dhe privatësinë e individëve. Ligji u miratua nga shumica e deputetëve rreth orës 05:00 të mëngjesit, pas një debati që zgjati gjatë gjithë natës.

Sipas dispozitave të reja, kontrollet nuk do të mund të kryhen ndaj çdo emigranti pa dokumente. Ato do të kufizohen te personat të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Belgjikë, që kanë shpërfillur urdhrin për t’u larguar nga vendi dhe që konsiderohen kërcënim për sigurinë publike. Gjithashtu, çdo kontroll në banesë duhet të marrë paraprakisht miratimin e një gjyqtari hetues dhe mund të zhvillohet vetëm në orarin 05:00–09:00 të mëngjesit, në praninë e zyrtarëve të imigracionit.

Protesta në Bruksel dhe qytete të tjera
Miratimi i ligjit është shoqëruar me protesta në disa qytete të Belgjikës. Rreth 3 mijë persona formuan të mërkurën një zinxhir njerëzor përreth Gjykatës në Bruksel, duke kundërshtuar masën e re. Mediat belge raportojnë se në qytete të tjera u organizuan gjithashtu më shumë se 50 demonstrata dhe tubime kundër ligjit.

Përpara votimit, organizata Amnesty International u bëri thirrje deputetëve që të mos e miratonin nismën, duke argumentuar se pasojat e saj mund të prekin edhe personat që ndihmojnë emigrantët pa dokumente. Nga ana tjetër, qeveria e Bart De Wever e ka mbrojtur ligjin, duke argumentuar se ai është i nevojshëm për të zbatuar urdhrat e dëbimit ndaj personave që konsiderohen rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›