E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, përmirësohet aksesi drejt Kalasë me rikonstruksionin e rrugës “Shkëmbi”

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Në rrugën “Shkëmbi” në Berat kanë rifilluar punimet duke i dhënë një tjetër impuls përmirësimit të aksesit drejt lagjes muzeale të Kalasë.

Ky aks i rëndësishëm, që lidh kalanë me Urën e Goricës, do të shndërrohet në një itinerar tërheqës për vizitorët dhe për të apasionuarit pas ecjeve në natyrë duke ofruar një eksperiencë unike mes turizmit kulturor dhe atij natyror.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e këtij aksi.

“Aktualisht po punohet për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe përgatitjen e shtresës së rrugës, e cila do të shtrohet me gurë, në harmoni me karakterin historik të zonës. Në vijim do të nisin edhe punimet për kanalizimet e ujërave të zeza, një kërkesë e hershme e banorëve”, tha Demo.

Sipas Demos, ky investim jo vetëm përmirëson jetën e banorëve, por edhe zgjeron ofertën turistike të qytetit, duke e bërë Beratin gjithnjë e më tërheqës dhe të vizitueshëm.

Rruga me gjatësi 1,3 km do të pajiset me trotuar në njërin krah, ndriçim, sinjalistikë dhe elementë sigurie, duke garantuar kushte më të mira për komunitetin dhe vizitorët.

1 nga 4

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›