Berisha: 11 maji farsë elektorale, Dumani instaloi praktikën e mosndëshkimit të krimit elektoral

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se 11 maji ishte farsë elektorale, ndërsa theksoi se “vota e shqiptarëve vdiq pa rënë në kuti”.
Sipas Berishës, “farsa elektorale primitive e 11 majit përbën krimin kushtetues zgjedhor më të rëndë në historinë e pluralizmit shqiptar”.
“E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti”, tha Berisha.
Berisha listoi edhe disa nga arsyet sipas tij se pse ndodhi kjo.
“Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji. Votën e lirë të shqiptarëve e vdiqën pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove”, tha ai.
“Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë kuti dhjetëra mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe certifikata pronësie, të dhëna të gjitha për të rrëmbyer votën”, tha Berisha ndër të tjera.
Berisha publikoi edhe disa video që sipas tij dëshmojnë “farsën elektorale, nga treni bullgar deri tek mbushja e kutive”.
Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumanit.
Sipas Berishës “ai është një armik i egër i pluralizmit, i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, pasi ai, pasi instaloi me dosjet 184 dhe 339, praktikën e mosndëshkimit të krimit elektoral, u bë de facto licencues kryesor i shumëllojshmërisë së krimeve elektorale pas atyre zgjedhjeve”.
Berisha tha se farsa elektorale nuk do pranohet kurrë.
“Këtu ne do vazhdojmë në respekt të shqiptarëve idealistë, të shqiptarëve patriotë, të shqiptarëve të ndershëm që besojnë se e ardhmja duhet të përcaktohet nga qytetarët e lirë me vullnetin e tyre dhe se pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, të ardhme në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë”, u shpreh Berisha. /j.p/