Berisha: 11 maji ishte një farsë! Kreu i PD në Bruksel për të denoncuar parregullsitë e zgjedhjeve

Lideri i opozitës Sali Berisha shfrytëzoi një takim me strukturat e PD në Bruksel për të denoncuar procesin elektoral të 11 majit. Sipas Berishës në këto zgjedhje, PS mori 83 mandate pasi nga njëra anë përdori burimet shtetërore duke u dhënë bonus pensionistëve apo duke falur gjobat në prag të zgjedhjeve, nga ana tjetër përdori bandat.
“Ligji i çdo farse është, se gjithmonë e më shumë i shtohen votat diktatorit”, tha ai.
Sipas Berishës edhe policia e shtetit u përfshi në zgjedhje për të ndihmuar PS.
“Ditën e zgjedhjeve, një nga bashkëpunëtorët e mi, i thotë ambasadorit të BE-së: ambasador, i thotë, në filan vend janë banditët nuk po lënë për të votuar. Ambasadori i kthehet: po sillen policët si banditë, po lëre banditin. Po merru me policinë, se policët po sillen si banditë”, tha ai.
Sipas Berishës në Shqipëri është krijuar një makineri frikësimi.
“Kjo makineri përbëhet nga vrasës serial. Përbëhet nga kartele droge që disponojnë miliarda euro. Janë vendimmarrës kryesorë. Emërojnë ministra. Emërojnë drejtorë”, u shpreh Berisha.
Berisha shfrytëzoi edhe takimet me figura të Partisë Popullore Evropiane në Bruksel për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar për zgjedhjet në Shqipëri.
/vizionplus.tv