Berisha: Bllokimi i procesit të integrimit do të bëhet edhe më i fortë

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përgjegjësi mbi çmimet e larta të naftës dhe për pengimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Sipas Berishës, qeveria shqiptare aplikon taksat më të larta në botë mbi karburantet, ku rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, duke sjellë një përfitim prej 1.1 euro për litër për shtetin. Ai e konsideroi ndërhyrjen e qeverisë me akcizën si “tallje” dhe theksoi se ulja reale e çmimit do të ndodhte vetëm me përgjysmimin e barrës fiskale.
Kreu i PD-së po ashtu fajësoi qeverinë për bllokimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian, duke mohuar se opozita ka përgjegjësi për vonesat në raportin IBAR. Sipas tij, zhvillimet lidhen me çështje korrupsioni, përfshirë atë që ai e quan “dosja Balluku”, dhe shtoi se numri i vendeve që po bllokojnë procesin është në rritje, duke treguar një largim të Shqipërisë nga orientimi europian.
“Unë ju garantoj, se ky bllokim do bëhet gjithnjë e më i fortë. Mos harrojmë se para 3 javësh ishin 4 vende, ato të cilat bllokuan votimin e raportit IBAR. Me datën 1 prill, nuk ishin më 4 vende, por ishin 9 vende, një pjesë e mirë e të cilave janë pro zgjerimit të Bashkimit Europian”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe situatën e fermerëve, duke e cilësuar atë si një krizë të thellë ekonomike, të përkeqësuar nga politikat fiskale dhe çmimet e larta të naftës.
Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe deklaroi se data 17 prill duhet të shërbejë si një ditë proteste kundër qeverisë, për të shprehur revoltën ndaj politikave të saj.
e.xh/j.p/