E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bojkotojmë komisionet e reformave, por jo parlamentin

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të vazhdojë betejën në të gjitha format, në parlament, në shesh, në protesta dhe greva, duke përjashtuar bojkotin e Kuvendit.

Në një konferencë për shtyp, Berisha paralajmëroi se parlamenti do të shndërrohet në “tempullin e lirisë” dhe se lufta politike do të intensifikohet.

I pyetur nëse do të rikthehet opozita në tryezën e reformës territoriale, Berisha tha se “Parlamenti do shndërrohet në tempullin e lirisë të shqiptarëve, siç është në Kushtetutë”.

“Beteja jonë vazhdon në parlament, rreth tij, jashtë tij dhe kudo. Thashë, kurrë ndonjëherë nuk jemi gjetur kaq rrugështruar dhe punëmbaruar, po të themi këtu, si kësaj here, për të nisur betejën tonë. Në parlament, ajo që patë ju, erdhi pasi u mbyll çdo hapësirë ndaj deputetëve të opozitës. Edi Rama, pasi mori pushtetin gjyqësor me Gjykatën Kushtetuese, mori parlamentin”, u shpreh Berisha.

Berisha siguroi se opozita nuk do të bojkotojë parlamentin, por luftën do ta bëjmë brenda në parlament me të gjithë fuqinë tonë, me të gjithë mbështetjen tonë.

Por, Berisha theksoi se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë nga komisionet në të cilat negocioheshin reformat me narkomazhorancën.

“Por parlamentin nuk e bojkotojmë, do zhvillojmë luftë dhe betejë aty, sikundër në shesh, në rrugë, në greva, në demonstrata, në të gjitha format”, theksoi ai.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›