E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Daniel Shima u mor peng. Kreu i PD pyet Ramën: Përse e ke kërcënuar ish-zyrtarin e AKSHI-t?

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ish-zyrtari i lartë i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima, u rrëmbye të mërkurën.

Edhe pse vetë Shima deklaroi në polici se zhdukja e tij për disa orë lidhej me një problem personal me të dashurën, lideri i opozitës, Berisha, theksoi se ish-nëndrejtori i AKSH-it u mor peng.

“Një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij. Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjendet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan”, tha Berisha.

Sipas Berishës, ish-nëndrejtori i AKSH-it u rrëmbye për shkak të tenderave të zhvilluara në këtë institucion, duke bërë përgjegjës drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

“Tani unë kam disa pyetje për Edi Ramën. Cilat kanë qenë motivet e kërcënimit tuaj ndaj Daniel Shimës? Ke dijeni ti për regjistrimin ambiental në të cilin Gerond Meçe pohon se të gjitha tenderat në AKSH i përcakton baxhanaku dhe bashkëshortja jote, Linda Rama?”, tha Berisha.

Një ditë më parë, nëna e Daniel Shimes denoncoi në polici zhdukjen e djalit të saj, pasi kishte humbur kontaktet për disa orë me radhë. Por në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, vetë Daniel Shima u paraqit në polici, duke sqaruar se ishte larguar në jugun e vendit për shkak të problemeve që kishte me të dashurën./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›