Berisha: Do të ndërtojmë tullë pas tulle me lumenj djerse Shqipërinë evropiane Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok, me vlerë investuese 260 milion lekë. Rruga me gjatësi 9,5 kilometër dhe gjerësi 8 metra është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve moderne bashkëkohore. Pas inaugurimit, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Fushëkuqes në rrethin e Kurbinit, të cilëve iu uroi rrugën e re dhe i falënderoi për mbështetjen e fuqishme që i japin qeverisë, e cila po bën realitet ëndrrat më të bukura të mbarë shqiptarëve. “Shfrytëzoj rastin tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu falënderoj me mirënjohje të thellë për mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë dhe qendrës së djathtë, qeverisë së integrimit, qeverisë e cila po shndërron në realitet ëndrrat më të bukura tuajat dhe mbarë shqiptarëve”, tha Berisha. Ai tha se përfundimi i kësaj rruge është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë se brenda vitit 2010, do të asfaltohen të gjitha rrugët që zbresin drejt detit. Duke iu drejtuar banorëve, kryeministri kërkoi që pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, të ecin përpara me besimin se Shqipëria do të ndryshojë çdo ditë e më shumë pamjen e saj drejt një Shqipërie tërësisht evropiane. “Ndaj të dashur qytetarë dhe qytetare, le të vazhdojmë së bashku pavarësisht nga bindjet politike. Sot shqiptarët janë anëtarë të NATO-s. Sot shqiptarët shohin vendin e tyre që ndryshon çdo ditë e më shumë. Sot shqiptarë shohin se rrogat dhe pensionet e tyre pavarësisht nga kriza botërore rriten nga viti në vit. Sot shqiptarët shohin se shkollat e fëmijëve të tyre ndërtohen nga viti në vit. Sot ata shohin se investimet e huaja rriten nga viti në vit. Sot ata janë më të sigurt se kurrë se do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, iu drejtua qytetarëve kreu i mazhorancës. Ai garantoi se do të vazhdojnë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve, kanalizimeve, do të vazhdojmë të mbështesim fermerët shqiptarë në Fushëkuqe dhe kudo. “Do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkollat për fëmijët tanë, qendra shëndetësore dhe spitale. Do të vazhdojmë të ndërtojmë tullë pas tulle me lumenj djerse Shqipërinë evropiane”, u zotua Kryeministri i Shqipërisë.