Berisha: Gjithnjë e më shumë komuniteti ndërkombëtar po ndërgjegjësohet për Shqipërinë

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur sot se në punimet e forumit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë në Zagreb u miratua një rezolutë për Shqipërinë.
Në komunikimin e përjavshëm me qytetarët përmes rrjeteve sociale, Berisha informoi mbi punimet e forumit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, organizata politike botërore e partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, e cila ka për parti kryesore Partinë Republikane të SHBA-së.
Sipas tij, “Shqipëria zuri vend në këtë forum për problematikat e saj madhore”.
“Shqipëria ka hyrë tashmë në axhendën e kësaj organizate pasi që në dhjetor të vitit 2024, miratoi në Uashington një rezolutë në të cilën ajo dënonte rëndë gjendjen e krijuar nga qeveria shqiptare me dhunimin e zgjedhjeve dhe mbështeste fuqishëm PD-në”, tha Berisha.
Berisha theksoi se edhe këtë herë Shqipëria ishte në krye të listës në debatin politik për shkak të problematikave të mëdha që paraqet dhe për shkak të shkarjeve të rënda, kthimit prapa të demokracisë dhe standardeve të saj.
Berisha theksoi se në këtë forum paraqiti para presidentit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë dhe përfaqësuesve të partive simotra problematikat e vendit, ndërkohë që sipas tij, “gjithnjë e më shumë komuniteti ndërkombëtar po ndërgjegjësohet se në Shqipëri është krijuar një regjim i rrezikshëm jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin dhe më gjerë”.
Ndërkohë Berisha theksoi se punimet e komitetit ekzekutiv të Bashkimit Ndërkombëtar për Demokraci u çelën me rezolutën për Shqipërinë.
Ndër të tjera, Berisha theksoi se “rezoluta dënon pengimin e vazhdueshëm të ndjekjes penale të korrupsionit në nivele të larta dhe abuzimet masive në prokurime publike, ndërkohë që shumica parlamentare socialiste mbron mungesën e llogaridhënies”.
“Rezoluta vëren se hetimet që implikojnë ministra dhe zyrtarë të lartë në të gjitha nivelet, konfirmojnë korrupsionin sistemik që po ngadalëson integrimin në BE. Po ashtu rezoluta mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës, pa anashkaluar asnjë kriter”, shtoi Berisha.
Berisha thekson po ashtu se përmes kësaj rezolute Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë
pohon se nuk mund të ketë përparim drejt Bashkimit Europian pa zgjedhje të lira, shtet të së drejtës dhe pluralizëm.
“Po ashtu u bën thirrje autoriteteve të ndalin pengesat, të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës, si dhe të respektojnë rrugën euro-atlantike të Shqipërisë”, tha Berisha, duke cituar rezolutën.
/m.m/j.p/