Berisha: Imuniteti i Ballukut mbahet peng për shkatërrimin e provave

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot dorëheqjen e kryeminsitrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha u ndal tek kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, që sipas tij pengohet nga mazhoranca me qëllim “manipulimin e shkatërrimin e provave”.
Gjithashtu, sipas Berishës, po bëhet presion mbi Gjykatën Kushtetuese.
“Intimidohen dhe thirren si në zyra të policisë sekrete punonjës të administratës, të cilët ose duhet të ndryshojnë dëshmitë e tyre ose nuk duhet të dëshmojnë apo të thonë ato që porositen. Presion i jashtëzakonshëm bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese. Pra, Edi Rama për të mbrojtur veten e tij, krimet e tij, po shkon drejt grushtit të shtetit, asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri. Duke dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, i kërkoj atij dorëheqjen dhe largimin e tij nga posti i kryeministrit”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e thirrur nga PD më 24 janar.
“PD u bën thirrje shqiptarëve, sot më shumë se kurrë të flasin me zemërimin e tyre, të flasin me guximin e tyre, të flasin me ndjenjat e dashurisë së tyre për këtë vend dhe të ardhmen e shqiptarëve me datën 24 janar në protestën kombëtare të thirrur nga opozita për këtë qëllim”, tha ai.
Në fjalën tij Berisha u ndal edhe tek “Durana Tech Park”, për të cilën tha se në Xhafzotaj, “nuk gjendet asnjë gjurmë e saj në terren”
Ndërkohë, shtoi ai “me këtë etiketë, me Duranë, janë vjedhur qindra milionë euro taksa, që të gjitha pronë e qytetarëve shqiptarë”.
Gjithashtu Berisha foli edhe për kompaninë e cila fitoi tenderin e ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, Kreatx, që sipas tij ka dyfishuar faturat dhe manipuluar bilancet.
“Ekzistojnë dyshime të forta se stafi i Kreatx ka pasur akses të pakufizuar në serverat e ujësjellës-kanalizimeve në Durrës duke bërë ndërhyrje manuale në faturat dhe bilance pa autorizim zyrtar”, u shpreh kreu i PD-së.
“Pak para se të shpërthente dosja e AKSHI-t, Kreatx u tërhoq nga UKD dhe u zëvendësua me Financa 5, por gjurmët e tyre mbeten ende në kompjuterët e administratës”, tha Berisha. /j.p/