E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ka mungesë informimi lidhur me procesin e integrimit europian

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas deklaratës së Kryenegociatores Majlinda Dhuka për uljen e stokut të dosjeve në gjykata.

Sipas Berishës, Dhuka ka dhënë shifra të cilat janë të kundërta nga ato që kanë dhënë institucionet zyrtare të Shqipërisë.

“Në qoftë se ILD apo KLGJ-ja deklarojnë se për shqyrtimin e një dosjeje duhen 16 vite, Dhuka tha se ky tregues është më i mirë se para reformës. Ndërkohë që para reformës, statistikat tregojnë se duheshin jo kurrë më shumë se 3 apo 4 vite”, tha Berisha.

Ndërkohë që Dhuka deklaroi se stoku i dosjeve është ulur, Berisha theksoi se “statistikat e institucioneve zyrtare të drejtësisë, thotë se është rritur me 4 mijë dosje të tjera”.

“Ishte 143 mijë dosje, por tani është 147 mijë dosje”, tha Berisha, ndërsa theksoi se “opozita është këtu për të thënë të vërtetën”.

Berisha reagoi po ashtu ndaj mungesës së informimit të parlamentit, opozitës dhe publikut lidhur me procesin e integrimit.

“COELA është një forum në Bruksel i përfaqësuesve të vendeve të BE, në të cilin kur diskutohet për Shqipërinë, ftohet edhe qeveria shqiptare. Këtu ka pesë muaj që qeveria shqiptare nuk thotë një fjalë të vetme, ndonëse aty falë njoftimeve të shtypit të Brukselit, por edhe të miqve tanë, është marrë vesh se ndonëse raportin për Malin e Zi e votuan me unanimitet, raportin për Shqipërinë nuk e votuan”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “konferenca ndërqeveritare ishte parashikuar të mbahej në datën 18 ose 20 prill dhe nuk u mbajt”.

Po ashtu Berisha theksoi se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, në mënyrën më të vendosur shtron rolin e parlamentit dhe të opozitës në procesin e integrimit.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›