Berisha: Kemi nisur punën për zgjedhjet lokale, kandidatët do të shpallen më herët

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, tha sot se opozita ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke theksuar se kandidatët do të shpallen më herët krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Sipas tij, procesi i analizës dhe përzgjedhjes brenda partisë është drejt përfundimit.
“Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale. Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira”, tha Berisha.
Në lidhje me paralajmërimin e ambasadës së SHBA për një kërcënim të mundshëm nga Irani, Berisha tha se njoftimi bazohet në informacione konkrete dhe duhet marrë seriozisht, por pa krijuar panik.
“Irani është një shtet që sponsorizon terrorizmin dhe në rastin e Shqipërisë përdor si pretekstin praninë e muxhahedinëve në Manzë. Prani e cila nuk duhet të jetë pretekst pasi ata nuk janë organizatë ushtarake, por një grupacion i ardhur në Shqipëri për qëllime humanitare. Natyrisht duhet thënë janë kundërshtarë të regjimit të Ajatollahëve, se përndryshe do ishin në Teheran. Mendoj se njoftimi është bërë mbi bazë informacioni. Mendoj se nuk ka vend për panik, duhet ta them këtë, por për kujdes po”, tha ai.
Berisha theksoi se Shqipëria është e mbrojtur nga NATO në aspektin ajror.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u pyet edhe në lidhje me Paketën e Maleve, ku sipas tij qeveria po diskriminon veriun, teksa veçoi Kukësin si një zonë me potencial të madh turistik që, sipas tij, është lënë pas dore. Ai shtoi se investimet në veri janë minimale krahasuar me zona të tjera, ndërsa projektet zhvillimore janë përqendruar në zona të ulëta.
“Kukësi, por i gjithë veriu në këto 13 vite është diskriminuar më shumë se kurrë në historinë e tij. Kukësi ka potenciale turistike më të jashtëzakonshme të vendit. Kurse Edi Rama paketat e maleve i jep në Maminas, i jep në fshatrat që janë gjithsej 30-60 metra mbi nivelin e detit. Ndërsa rrafshnaltat e maleve të Kukësit, injorohen sikur nuk janë. Kukësi ka potenciale të tjera shumë të mëdha të cilat ne do të bëjmë gjithçka që ti kthejmë në të mira për qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Berisha u ndal edhe tek protesta e paralajmëruar kombëtare e 17 prillit, për të cilën ai bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë.
“Protesta është vendimi për të ecur drejt BE-së, drejt mirëqenies dhe prosperitetit”, u shpreh ai, duke e cilësuar atë si një “kryengritje paqësore”.
Ai theksoi se heshtja e qytetarëve përballë kësaj situate është e dëmshme.
“Heshtja është ndihmë për regjimin, ndërsa protesta është përfaqësimi dinjitoz i qytetarëve”, përfundoi ai.
/m.q/ /a.g/