E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kuvendi Kombëtar votoi për ripërtëritjen e PD, 30% të rinj dhe 40% gra e vajza

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi rezultatet e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar pas Kuvendit Kombëtar të zhvilluar më 30 maj, duke e cilësuar procesin si një hap të rëndësishëm drejt ripërtëritjes së partisë.

Berisha tha se delegatët kanë votuar për një përfaqësim më të madh të brezit të ri dhe të grave në strukturat drejtuese të PD-së. Sipas tij, 71 anëtarë të zgjedhur në Këshillin Kombëtar, ose rreth 30% e përbërjes së tij, janë të rinj nën moshën 30 vjeç, një përqindje që, sipas tij, është dyfishuar krahasuar me të kaluarën.

“Delegatët votuan për ripërtëritjen e PD. Dy risi janë madhore. Njëra është e sigurt, e para e kësaj natyre që nga themelimi i PD. Pas numërimit të votave, rezulton se 71 të rinj, pra rreth 30 për qind e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar, i përkasin moshës ndër 30 vjeç, i përkasin të rinjve dhe ky është një investim, do të thosha, jashtëzakonisht i çmuar që delegatët bënë për forumin drejtues të PD. Kjo përqindje ka qenë gjysma e saj përpara dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu cilësoi si zhvillim pozitiv dhe hap të rëndësishëm atë që, sipas tij, Kuvendi bëri për gratë dhe vajzat.

“Në mënyrë do të thosha shumë të rëndësishme u realizua ose u arrit përcaktimi statutor i rreth 40 për qind të përbërjes së Këshillit Kombëtar nga gra dhe vajza”, tha Berisha.

Ai falënderoi delegatët për zgjedhjet e bëra, si dhe kandidatët që nuk arritën të siguronin votat e nevojshme, duke theksuar se ata mbeten figura të rëndësishme për PD-në.

“Them se kjo është një arritje e vërtetë, një arritje e madhe në pamje statistikore, por është real,e sepse janë zgjedhur gra dhe vajza me kontribute reale, të çmuara në PD dhe ndjej keqardhje për ato që meritonin plotësisht të ishin anëtare të Këshillit, por shpërndarja e votave ka sjelle lënien e tyre jashtë Këshillit Kombëtar. Megjithatë ato mbeten aktiviste të çmuara, personalitete të çmuara të PD”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›