Berisha: Më datë 20 shkurt protesta e radhës

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga selia blu pas përfundimit të protestës, paralajmëroi se në datën 20 shkurt do të zhvillohet protesta e radhës.
Kreu i PD-së theksoi se “shqiptarët do të mblidhen për t’i dhënë Edi Ramës atë që meriton”.
“Po, jemi të gatshëm, më të gatshëm se kurrë t’i japim atë që meritojnë. Në datën 20 shkurt është dita jonë, dita e fitores, të rinjve dhe gjithë protestuesve”, tha ai.
Berisha gjithashtu tha se forcat e Policisë së Shtetit dhunuan protestuesit.
Sipas tij, qëndrimi paqësor i protestuesve është shumë herë më i fuqishëm se bandidizmi i atyre që janë të veshur me uniforma.
“Me guximin, qytetarët de facto zotëruan sheshin. Banditë me uniformë, kriminelë me uniformë u vërsulën si bisha, duke menduar se mund t’i mposhtnin. U them tyre që vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve është dhjetëra-qindra herë më i fuqishëm se banditizmi i tyre. Protestues paqësorë, por dhe njerëz me aftësi të jashtëzakonshme. Dhjetëra mijëra guximtarëve, u mjaftojnë pak minuta për t’ju dhënë atë që meritoni. Vetëpërmbajtjen e tyre mos e merrni për dobësi. Vetëpërmbajtja e tyre është trimëri dhe guxim”, deklaroi kreu i PD, i cili shtoi se protestuesit janë të vendosur për të larguar qeverinë.
Berisha shprehu mirënjohjen për protestuesit, ndërsa shtoi se edhe gazetarët u sulmuan nga policia.
“Pra, sot barbaria e policisë nuk kurseu gazetarët. Këta gazetarë dhe kameramanë u trajtuan në mënyrë armiqësore nga banditë me uniformë. U bë gjithçka që të mos përmbushnin dot detyrën e tyre, misionin e tyre. Por i përgëzoj. I përgëzoj, se nuk u ndalën për asnjë moment nga detyra dhe misioni i paraqitjes së çdo akti”, tha Berisha.
Gjithashtu, kreu i PD-së bëri me dije se do të shkojë në spitalin e Traumës për të vizituar deputetin Bledion Nallbati dhe shtoi se po mblidhen të dhënat për të lënduarit nga incidenti. “Do shkoj në spital, sepse deputeti Blendi Nallbati është në gjendje jo të mirë dhe siç e keni parë, në mënyrë absolute ka qenë një sulm personal ndaj tij pa asnjë shkak. Pa asnjë shkak, banditët kanë shkuar dhe e kanë goditur”.
/r.e//a.g/