E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se në situatën aktuale kauza e protestës së opozitës është më e ligjshme se në çdo protestë tjetër.

Në një intervistë televizive, Berisha theksoi se arsyeja e parë është se qeveria nuk ka legjitimitetin për shkak të farsës elektorale, kjo, sipas tij, është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit.

Së dyti, sipas kreut të PD, një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët humbet legjitimitetin.

“Efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit që të mos dinë se çfarë të besojnë. Jep 40 rroga analistësh që në çdo studio mashtrojnë qytetarët”, theksoi Berisha duke iu referuar klimës aktuale.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama nuk është alternativë dhe duhet të largohet.

“Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj.Opozita do të qëndrojë deri në pikën e fundit të saj se këta kanë zero legjitimitet”, deklaroi Berisha.

Berisha foli edhe në lidhje me votimin në parim në parlament për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ku përfaqësues do të jetë kryeministri Edi Rama.

Berisha tha se PD votoi pro për të treguar partneritetin e vendit dhe të PD-së me SHBA.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie. Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ne, vijoi Berisha, dokumentin nuk e votuam nen për nen, ne votuam në parim.

Sa i përket projektit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për ishullin e Sazanit, Berisha tha se edhe ai kur ishte kryeministër ka tentuar që Sazanin t’ia jepte ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi për zhvillim, por diçka e tillë nuk u realizua.

“Zvërneci është investim kryekëput privat. Nuk kam parë që është dhënë tokë publike. Si mund të jem kundër kur ka një ujdi mes privatëve. Janë të mirëpritur. Vijmë te Sazani, tokë publike. Si ta kundërshtoja unë kur unë vet isha përpjekur që të jepej për zhvillim”, tha Berisha. /k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›