E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Në Shqipëri ka një forcë që integron vendin në BE dhe ajo është PD

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot gjatë një takimi elektoral në Kavajë se në Europë shkohet me shtetin ligjor, me respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore.

Sipas Berishës, “në Europë shkohet duke rritur mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe jo duke e plaçkitur atë”.

“Ka një forcë politike e faktuar dhe e provuar, lokomotivë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe kjo është partia juaj, Partia Demokratike, ky është koalicioni ynë, koalicioni për Shqipërinë Madhështore, koalicioni për Shqipërinë e fitores”, tha ai.

Berisha u shpreh se një nga misionet e PD-së përmes programit të kësaj force politike synohet që të risjellin rininë në Shqipërinë.

“Do bëjmë gjithçka të rikthejmë nga emigracioni vëllezërit dhe motrat tona. Pesë vjet asnjë taksë. Kredi të buta për strehimin. Startup-et e tyre do të mbështeten fuqishëm. Pra miq, është program për çdo shqiptar. Fermerët e Kavajës dhe Shqipërisë do të njohin 5-fishimin e subvencioneve për ta. Garantoj se për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, do marrin 5-fishin e atyre që marrin sot”, tha ai.

Berisha tha se “garantoj çdo qytetar të Kavajës dhe Shqipërisë se, buxheti i shëndetësisë do të dyfishohet, se lista e ilaçeve të rimbursueshme do të jetë identike me atë të Republikës Italiane”.

“Në territorin e Shqipërisë nuk do të tregtohen ilaçe që nuk shiten në dy vende anëtare të BE-së. Miq, në Europë nuk shkohet me mjerim. Në Europë nuk shkohet me krim. Në Europë nuk shkohet me korrupsion. Në Europë shkohet me shtetin ligjor, me respektin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Me respektimin e dinjitetit njerëzor”, vijoi Berisha.

/r.e/a.f/.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›