Berisha: Nuk e braktisim parlamentin, zgjidhjen e kërkojmë tek protestat e qëndrueshme

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD nuk do ta braktisë parlamentin, por zgjidhjen duhet ta kërkojë tek protestat e qëndrueshme kundër këtij regjimi.
“Parlamenti nuk është më parlament. Për herë të parë si kurrë më parë u rikompozuan komisionet, i hoqën opozitës të gjitha komisionet e rëndësishme dhe një komision u nda në tre komisione”, tha Berisha.
Sipas tij, “u bënë ndërhyrje të tjera të njëanshme në kundërshtim flagrant me Rregulloren, e cila nuk lëviz pa miratim konsensual”.
“E përmbysën rregulloren dhe nga ai moment parlament Shqipëria nuk ka pasur. Ne jemi para kësaj alternative, të shkojmë apo të mos shkojmë në parlament. Midis këtyre të dyjave, ne kemi vendosur të shkojmë në parlament. Edi Rama nuk do asgjë tjetër përveç braktisjes së parlamentit nga ana jonë. Dhe ne nuk mund t’ia bëjmë këtë dhuratë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se “edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi plotësisht aktin e aneksimit të parlamentit. Por njëlloj, ata kanë përgatitur me urgjencë ndryshime të ngjashme në të cilat përgjysmojnë kohën e diskutimit për deputetin. Ne do përpiqemi, por zgjidhjen ama duhet ta kërkojmë tek protesta e qëndrueshme kundër këtij regjimi”.
Berisha sqaroi se protesta e 12 marsit është protestë për largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Qytetarët vijnë aty për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Protesta e 12 marsit është protestë për dorëheqjen, largimin e Edi Ramës nga pushteti”, tha Berisha.
/m.m/r.e/