E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk u shpall gjendja e emergjencës dhe fondi për dëmshpërblimin e të përmbyturve

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se në rastin e përmbytjeve të fundit duhej të shpallej gjendja e emergjencës, duke përcaktuar fondin për dëmshpërblimin e banorëve të prekur.

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha u ndal te situata e përmbytjeve në vend duke theksuar se “sot në Durrës janë 4 mijë banesa me ujë brenda”.

“Mblodhi Komitetin e Emergjencës dhe nuk shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan. Po si të përçan?! Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është kushti i parë që qeveria të marrë hapat e tjerë për të adresuar problematikat e krijuara nga fatkeqësia natyrore.

“Ndaj dhe është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj. Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin për gjithë këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës. Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, humbasin bukën e gojës. Dhe pse kjo? Se do ndërtohen kulla aty”, u shpreh Berisha.

Berisha u shpreh se “investimet dhe e gjitha infrastruktura që duhej të mbronte këta qytetarë, u provua se ishte jashtë funksioni”.

“A nuk dihet rreziku i Vjosës? Asnjë masë nuk kanë marrë. Të gjitha sistemet e kanalizimeve jashtë funksioni. Dhe dilte e thoshte se 520 kanale janë pastruar. Që të gjitha të mbushura me mbeturina, me beton, të ndërtuara mbi to, të mbushura nga shumë ndërhyrje të tjera. Dramë e tmerrshme e Durrësit. Sigurisht moti ishte, por të tjerat u bënë nga njeriu, nga pushteti. Nuk e spostuan qytetarët e Durrësit hidrovorin që ndodhej në pikën më të ulët. E spostoi qeveria, e cila e vendosi në një kuotë pothuaj dy metra më të lartë”, shtoi ai.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›