Berisha: Operacioni u dekonspirua! Opozita nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi aksionin e përbashkët të SPAK-ut dhe antimafias italiane kundër rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Durrës. Në një konferencë me gazetarët, Berisha falënderoi antimafian italiane, por jo SPAK-un, duke deklaruar se operacioni u dekonspirua.
“Prapa trafikut monstruoz të kokainës qëndrojnë ata që e kanë lënë portin dhe unë këtë e kam denoncuar me dhjetëra herë, që porti i është dorëzuar Troplinit. Ndaj u njoftua të ikë ai. Nuk them, tha, gjeneralitete. I kemi sekret. Po ç’sekret i ke? Ke shkuar dhe ke arrestuar pastruesit dhe shoferët. Na thuaj pak kush e njoftoi Pojën që iku? Ai ishte padroni i portit. Dhe natyrisht i zgjedhjeve dhe të gjithave”, tha Berisha.
Në këtë komunikim me gazetarët, Berisha denoncoi procesin e votës së diasporës në Greqi, duke treguar edhe zonat ku PS ka fituar me 97%.
Kryetari i PD përsëriti se opozita nuk do ta njohë rezultatin e 11 majit.
“Zgjedhje të tilla nuk mund t’i pranojmë kurrë dhe nuk mund të na imponojë ne kush që t’i pranojmë këto zgjedhje”, tha kreu i PD.
Ndërkaq, ekspertët e PD kanë hartuar një raport mbi shkeljet e pretenduara në zgjedhjet e 11 majit, i cili është shpërndarë në vendet e BE dhe SHBA. Në SHBA, dokumenti është shpërndarë nga kompania e lobimit Continental Strategy dhe bie në sy se PD kërkon hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve dhe qeveri teknike./vizionplus.tv