E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita duhet të mobilizohet për ndryshim politik

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se opozita duhet të mobilizohet për ndryshim poltik në vend.

Berisha u shpreh se abuzimet nga ana e qeverisë dhe ministrave janë të dokumentuara.

Duke u ndalur te proceset zgjedhore, Berisha theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u vlerësuan pozitivisht nga OSBE/ODIHR.

“Zgjedhjet e 2009-ës plotësuan kriteret kryesore të OSBE/ODIHR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe u dhanë shqiptarëve një qeveri legjitime”, deklaroi ai.

Në kontrast, ai e konsideroi procesin e 11 majit 2025 si të kontestuar.

“Zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një farsë elektorale dhe përbëjnë një motiv të qartë ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar që opozita shqiptare të mobilizohet për largimin e pushtetit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja”, tha Berisha.

Berisha shprehu gjithashtu admirimin për procesin zgjedhor në Kosovë dhe theksoi nevojën që Shqipëria të ndjekë një model të ngjashëm.

“Kam ndjekur me admirim zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe përgëzoj fituesin Albin Kurti, qytetarët dhe forcat politike që u angazhuan për një proces dinjitoz dhe të qytetëruar, që bën krenar çdo shqiptar. Uroj që Shqipëria një minutë e më parë të zhvillojë zgjedhje si Kosova”, u shpreh ai.

Në lidhje me veprimet e ardhshme të opozitës, Berisha nënvizoi se protesta paqësore mbetet rruga kryesore për të kërkuar ndryshimin politik.

“Rrugë tjetër të sigurtë për largimin e qeverisë aktuale nuk ka, përveç protestës së vazhdueshme. Protesta e vazhdueshme do të fillojë pa asnjë diskutim dhe është rruga e vetme për të ndarë vendin nga kjo qeveri”, deklaroi kreu i PD-së, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre.

Në vijim të bashkëbisedimit, Berisha foli edhe për rolin e opozitës në situatën aktuale politike, duke theksuar se ajo nuk mund të ketë një qëndrim pasiv.

“Një opozitë në kushte të tilla nuk mund të qëndrojë si dekor institucional. Ajo ka vetëm një mision, ndryshimin e gjendjes politike dhe rikthimin e standardeve demokratike”, deklaroi ai, duke shtuar se beteja e opozitës është e vazhdueshme.

Berisha, njoftoi se procesi i riorganizimit të partisë ka nisur dhe po zhvillohet në të gjitha qarqet e vendit.

Ai theksoi se puna ka filluar prej një muaji me koordinatorë aktivë, takime, analiza dhe mbledhje, dhe se ky proces do të vazhdojë me intensitet.

“Po ju informoj se ne në të gjitha qarqet, prej një muaji punojnë koordinatorët dhe vazhdojnë edhe takimet, edhe analizat, edhe mbledhjet” tha Berisha.

Ai shtoi se riorganizimi dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është prioritet kryesor i drejtuesve dhe anëtarësisë.

“Nuk do ketë asgjë që mund të na pengojë ne për një riorganizim, ripërtëritje të fortë të kësaj partie. E kam theksuar dhe theksoj se përqendrimi më i madh i Partisë Demokratike, i demokratëve dhe i drejtuesve do të jetë tek partia, riorganizimi dhe identifikimi i saj”, u shpreh Berisha.

Berisha: Qeveria teknike do të mbështetet nga të gjitha palët, do të krijohet një front i gjerë politik

Berisha gjithashtu nënvizoi rëndësinë e krijimit të një qeverie teknike që të ketë besimin dhe mbështetjen e të gjitha palëve politike.

“Qeveria teknike do të jetë një qeveri e cila besohet nga të gjitha palët dhe mbështetet nga të gjitha palët”, deklaroi ai.

Berisha, u pyet nga qytetarët për mundësinë e një qeverie teknike të drejtuar nga shkrimtarja Lea Ypi. Ai u përgjigj se nuk mund të komentonte mbi pretendimet individuale të saj, duke shtuar se nuk kishte informacion mbi këtë çështje.

“Unë nuk kam asnjë dijeni se çfarë pretendimesh ka, por qeveria teknike do të jetë një qeveri e cila besohet nga të gjitha palët dhe mbështetet nga të gjitha palët”, deklaroi Berisha.

Berisha paralajmëroi gjithashtu një hap tjetër në përpjekjet politike të opozitës, duke njoftuar organizimin e një tryeze të përbashkët me forca politike dhe faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare.

“Së shpejti, ne do organizojmë një tryezë të përbashkët me forca politike dhe faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, pikërisht për të krijuar një front sa më të gjerë të përbashkët në këtë betejë vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri kundër Edi Ramës”, u shpreh ai.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›