Berisha: Po tentohet t’i diktohen vendimet Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi sot mbajtjen e protestës së radhës, të hënën e ardhshme.
Berisha e bëri këtë deklaratë, nga tubimi i radhës që u mbajt sot përpara godinës së Kryeministrisë, ku të pranishëm ishin deputetë të PD-së dhe mbështetës opozitarë.
Berisha tha se po kërkohet që Gjykatës Kushtetuese t’i diktohen vendime.
“Edi Rama kërkon t’i diktojë Gjykatës Kushtetuese, por unë i garantoj se vendimet e diktuara të gjykatës që po bën ti, do t’i paguash shumë shtrenjtë”, tha Berisha.
“Nuk pret Shqipëria. Nuk jemi ne ata që do presim nga një prokuror apo një gjykatës shpëtimin. Jo, shpëtimin do ta presin shqiptarët nga ne. Ne jemi shumë. Do të jemi edhe më shumë dhe nuk heqim dorë gjer në largimin e Edi Ramës nga qeveria”, tha Berisha.
Berisha tha se kreu i Qeverisë e ka “mbushur kupën dhe ajo po derdhet”.
“Ndaj dhe ne sheshin nuk e lëshojmë, kemi hyrë në betejën vendimtare. Demokrate e demokratë, kjo është beteja vendimtare. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ia falim kurrë. Iu garantoj se fitorja është e jona. Ligji, Kushtetuta, liritë tuaja, të drejtat do triumfojnë përsëri. Të hënën tjetër, përsëri këtu”, tha Berisha.
Kjo është foltorja e tretë e opozitës përpara Kryeministrisë. Në këtë foltore, një hapësirë kohore do u jepet edhe partive aleate të PD-së dhe qytetarëve.
/e.i/a.f/